Home / MAQEDONI / Emri, Kisha Ortodokse distancohet nga shkrimet e peshkopit Agatangel

Emri, Kisha Ortodokse distancohet nga shkrimet e peshkopit Agatangel

Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) distancohet nga qëndrimet e peshkopit Agatangel i cili në një kolumnë të publikuar nëpër portale të internetit ka dhënë vlerësimin e tij për bisedimet rreth emrit me Greqinë. Zëdhënësi i KOM-it, peshkopi Timotej për Alsat- M thonë se kisha respekton mendimet individuale, por megjithatë qëndron anash nga politika.

“Nuk është qëndrim i Sinodit të shenjtë dhe i Kishës. Kisha nuk është pozicionuar për të zgjidhur çështje politike, por që të kujdeset për jetën shpirtërore të ortodoksëve. Politika të lihet anash, nuk duhet të merremi me çështje ditore politike”- deklaroi Peshkopi Timotej, zëdhënës i KOM-it, Dioqeza e Ohrit.

Mitropoliti i Dioqezës së Vardarit, një nga gjithsej njëmbëdhjetë të KOM-it, në një kolumnë është shprehur se negociatorët tanë për emrin do të mbahen mend si tradhtarë.

“Le ta kenë të qartë të gjithë se ne maqedonasit nuk bëjmë negociata, e as nuk pranojnë asnjë emër tjetër pos emrit shtetëror Republika e Maqedonisë, e as që kemi ndërmend të luajmë me identitetin tonë shekullor maqedonas. Le ta kuptojnë më në fund se ata askush nuk i ka autorizuar të bisedojnë për çështje lidhur me historinë e Maqedonisë, gjuhën maqedonase, emrin dhe identitetin. Secili që edhe më tutje do të vazhdojë të bisedojë dhe t’ua bëj qejfin politikanëve të huaj dhe atyre grek është vetëm një i dobët që mendon lartë për veten” – tha Agatangel, mitropoliti i Dioqezës së Vardarit, KOM.

Kolumna e peshkopit Agatangel vjen në periudhë të intensifikimit të bisedimeve mes Greqisë dhe Maqedonisë. Në këtë proces, sidomos në Greqi, Kisha Ortodokse Greke imponohet si lojtar i fuqishëm. Ajo ishte në krye me protestat nacionaliste në Selanik dhe Athinë. Ndryshe, në konferencën e javës së kaluar me redaktorë nga disa media, kryeministri Zoran Zaev deklaroi se Qeveria do të mbajë takim me KOM-in, pas të cilit pritet që të përfshihet në procesin e bisedimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*