Home / SHQIPËRI / Greqia kërkon që Shqipëria ta fshijë termin “Çamëria” nga tekstet shkollore

Greqia kërkon që Shqipëria ta fshijë termin “Çamëria” nga tekstet shkollore

Shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias në seancën e Parlamentit grek kërkoi që Shqipëria ta “heqë” nga librat “çështjen për çamët”.

Koxias deklaroi se gjatë bisedimeve të komisionit të përbashkët të ekspertëve, pala greke i ka bërë të ditur qartë përfaqësuesve të Shqipërisë se termet “territore shqiptare në Greqi” dhe termi “Çamëri” për një pjesë të territorit grek, duhet të fshihen nga librat e historisë dhe gjeografisë.

“Në takimin e fundit të komisionit të përzierë të ekspertëve greko-shqiptarë, pala greke kërkoi kategorikisht fshirjen e fjalëve që janë ofenduese për unitetin e shtetit tonë nga librat, për disa territore shqiptare në Greqi. Gjithashtu,edhe rrethina gjeografike greke, e cila në libra emërohet si “Çamëri”, për fat të keq, tregon se shteti shqiptar është bllokuar në retorikë nacionale. Kjo i bën keq në radhë të parë vetë Shqipërisë”, theksoi Koxias.

Sipas tij, përfaqësuesit grekë si kusht për të cilin nuk ka bisedime e vendosi “fshirjen e këtyre frazave nga librat shkollore në Shqipëri”.

Rreth kësaj teme reagoi edhe shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati, i cili konfirmoi se është formuar grup i përbashkët pune për “vlerësim të librave të historisë në të dyja vendet”.

Më herët, presidenti grek Prokopis Pavllopollus e kërcënoi Shqipërinë se nëse dëshiron BE-në duhet “ta mbyllë gojën për çështjen joekzistuese të çamëve”.

Në Shqipëri me emrin Çamëri emërohet territori në të cilin kanë jetuar shqiptarë dhe e cila në Konferencën e Londrës të vitit 1913 i takoi Greqisë. Në vitin 1945 nga ky territor janë përzënë më shumë se 35.000 shqiptarë, ndërsa disa mijëra janë vrarë, nën akuzën “bashkëpunim me autoritetet okupuese gjermane dhe italiane”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*