Home / DOSJA / Kalaja e Petralbës, kështjella kryesore e Kastriotëve

Kalaja e Petralbës, kështjella kryesore e Kastriotëve

Specialistët në Shkodër kanë kryer disa inspektime në sitin e Kalasë së Petralbës e cila ndodhet mes fshatrave Gur i Bardhë dhe Fshat në Bashkinë Klos e ndërtuar mbi një kreshtë malore në një lartësi rreth 800 m. Së bashku me kalanë e Xibrit, kontrollonte rrugën Dibër-Qafë Murrizë. Petralba dhe Stelushi, ishin dy kështjellat kryesore të Kastriotëve në mesjetë.

Fillimet e veta ky fortifikim i ka që në antikitet të vonë, për t’u përforcuar sërish në shek. XV nga Skënderbeu. Për vlerat historike dhe arkeologjike që ruan kjo kala, në vitin 1973 merr statusin “Monument Kulture” i kategorisë së parë në Shqipëri.

E vendosur në një pikë strategjike mbi luginën e Matit, Petralba kontrollonte pjesën më të madhe të saj si edhe akset lidhëse, ku më kryesorja ishte padyshim Rruga e Arbrit, që niste nga Durrësi, Albanapoli, Pershqopi e Petrela, Qafë Murrize, zbriste në këmbë të fortesës së Petralbës.

Përshkrimin më të plotë të rëndësisë historike të Kalasë së Petralbës e gjejmë tek “Histori e Skënderbeut” e Marin Barletit, i cili në origjinal e quan atë Petram Albam, që në shqip është Guri i Bardhë.

Sipas Barletit, Skënderbeu në vitin 1443 pasi ka marrë Krujën dhe Petrelën i është drejtuar Petralbës.

“Duke vazhduar drejt rrugën, arritëm në Petralbë, e cila është larg nga Petrela 30 mijë hapa, nga Kruja po 30 mijë, ndërsa Petrela nga Kruja 25 mijë hapa. Ky është një qytet në Mat, i ndërtuar mu në majë të një mali të vogël, por që s’i trembet, megjithëkëtë, përveç urisë, asnjë fuqie armiku. Veç kësaj, lumi i Matit, që rrjedh rrëzë malit, duket se i shton këtij vendi jo më pak bukurinë sesa fuqinë mbrojtëse dhe dobinë. Sapo ushtria zuri vend e nguli çadrat nën muret, erdhën disa të dërguar nga ata të qytetit të Skënderbeut dhe i bënë me dëshirën e vet dorëzimin e qytetit. Edhe këtyre u dhanë dhe ua mbajtën gjithë zotimet, që u kishin dhënë e mbajtur më parë petrelasve, dhe bashkë me rojën armike u dërguan disa nga tanët për t’i ruajtur se mos pësonin gjë nga banorët e krahinës”, shkruan Barleti.

Barleti e provon plotësisht faktin se Skenderbeu ka ndenjur familjarisht në Petralbë. Madje sipas gojëdhënave ashtu si ai vetë edhe i biri i tij, Gjoni kanë lindur pikërisht në këtë kala. Por Petralba, nuk ishte thjeshtë e vetëm një zonë banimi. Për Skënderbeun, gjithnjë sipas Barletit, kalaja dhe zona ishin edhe një prapavijë shumë e rëndësishme luftarake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*