Home / KOSOVË / Përplasja/Haradinaj heq flamurin kombëtar, urdhëron të vihet ai i Kosovës

Përplasja/Haradinaj heq flamurin kombëtar, urdhëron të vihet ai i Kosovës

Flamuri kombëtar shqiptar është kthyer në një mollë sherri në prag të festës së Pavarësisë së Kosovës.

Bëhet fjalë pikërisht për flamurin me shqiponjën dykrenare që gjendet në një rrethrrotullim në hyrje të Prishtinës, për të cilin kryeministri Haradinaj kishte dhënë urdhër që të zëvendësohej me flamurin e Kosovës.

Ky urdhër ka shkaktuar disa reagime, teksa ishte komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Shpend Ahmeti që kundërshtoi këtë iniciativë.

Mbrëmjen e kaluar, disa persona të autorizuar nga qeveria arritën të hiqnin flamurin kuqezi, të cilin e zëvendësuan me një flamur të vogël shtetëror, pavarësisht kundërshtive të qytetarëve dhe problemeve me energjinë elektrike. U desh ndërhyrja e zjarrfikëses dhe policisë për të zhbllokuar situatën e krijuar.

Kryeministri Haradinaj shpjegoi me anë të një postimi vendimin e tij për zëvendësimin e flamurit kuq e zi, teksa shkroi:

“Flamuri kombëtar është flamuri i lirisë sonë. Me shekuj kemi rrugëtuar me këtë flamur dhe gjithmonë do ta duam dhe do ta respektojmë. Vendosja e flamurit të shtetit bëhet në respekt të Kosovës dhe shënimit të përvjetorit të dhjetë të shtetit tonë. Me këtë flamur synojmë njohjen ndërkombëtare. Me këtë flamur zhvillojmë Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj ka kundërshtuar pas zëvendësimit të flamurit kombëtar me atë shtetëror sot “Te Rrethi” në Prishtinë.

Molliqaj ka thënë se Republika e Kosovës nuk forcohet duke përdhosur flamurin kombëtar shqiptar:

“Republika e Kosovës nuk forcohet duke përdhosur flamurin tonë kombëtar”, u shpreh Molliqaj, në një deklaratë në Facebook. “Çdo përpjekje për distancim nga Shqipëria dhe vlerat tona kombëtare në kohën kur Serbia po na lufton në të gjitha aspektet, na ofron me këtë të fundit. Përderisa asnjë qeveri e pasluftës nuk e ndërmori asnjëherë asnjë hap të vetëm për t’i larguar flamujt e shtetit që na lufton, pra Serbisë, qeveria aktuale e hoqi flamurin kombëtar në orë të vona. Jo rastësisht e zgjodhën terrin. Kjo qeveri është qeveri e territ”, deklaroi Molliqaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*