Home / KOLUMNA / Problemet që ka Maqedonia me Greqinë nuk prezantohen në media

Problemet që ka Maqedonia me Greqinë nuk prezantohen në media

Patriotizmi i stiroporit

Problemet që ka Maqedonia me Greqinë, as për së afërmi nuk prezantohen në media, për arsye se dimensioni i këtyre problemeve sa është aktual e gjeostrategjik, po aq është edhe historik e identitar.

Emin AZEMI

Dy opinione krejt të ndryshme publike, të kundërvënë përballë njëri tjetrit, njëri në sheshet e Athinës e Selanikut, e tjetri në studiot televizive të Shkupit, sikur nxjerrin në pah dallimet në qasje dhe perceptim. Nga zhvillimet e raportuara në media, mund të vërejmë një aktivizim më të madh të vëmendjes publike në Greqi, për dallim nga maqedonasit (një pjesë bukur e madhe e tyre) të cilët ende vazhdojnë të besojnë se problem më i madh për ta është gjuha shqipe, se sa ndërrimi i emrit të shtetit.

Asgjë të re në këtë drejtim nuk do të thoshim, nëse e kemi parasysh faktin se disponimi publik tek maqedonasit një kohë të gjatë ka kaluar nëpër valvulat e trajnimit antishqiptar, ndërkohë që çështjet identitare ata i kanë konsideruar, dhe ende i konsiderojnë, si tema nacionale për përdorime të brendshme, që do të aktivizoheshin varësisht se cila koniunkturë politike është në pushtet. Këto tema, në vend se ti trajtojnë si probleme kruciale kombëtare, ata po i trajtojnë si kanale rezervë për të përçuar mesazhe nga njëri tabor politik te tjetri, duke e mbuluar krejt këtë me ambiciet për marrje ose ruajtje të pushtetit. Asgjë më tepër.

Ky qëndrim kaq latent i opinionit publik maqedonas kundrejt qëndrimeve rigjide greke, ka një shpjegim psikologjik që zbërthen një koncept mental i cili nuk është mësuar të ballafaqohet me të vërtetat reale dhe për pasojë fillon të projektojë të vërteta paralele, në formë mirazhesh në shkretëtirë, që lëvizin nga periudha e maqedonasve antikë deri në periudhën e maqedonasve të Bllazhe Konevskit. Pamundësia për të mbushur këtë hark kohor, mbi dy mijë vjeçar, me teatër, letërsi, arkitekturë, pikturë, e ka transformuar vetëdijen kolektive nga fotografia reale në lëvizje të robotizuar, që hapëron nga legjendat e mjegullta antike në patriotizmin e pluhurosur me grimca stiropori në arkitekturën e shpifur të barokut.

Burime të afërta me negociatorët për çështjen emrit, vënë në dukje se pala greke është kategorike në kundërshtimin e gjithçkasë që lidhet me historinë e asaj që ata e quajnë Maqedoni. Kjo i bie që për Athinën zyrtare janë të papranueshme termat që përkufizojnë shtetin, popullin dhe gjuhën e Maqedonisë. Grekët do të pajtoheshin me gjithçka tjetër që është jashtë këtyre përkufizimeve, madje edhe me një gjuhë që e flasin shumica e popullsisë, por që nuk do të quhej “maqedonishte”. Ta përkthesh në sens emocional këtë pretendim të fortë grek, nuk është edhe aq vështirë, sepse shqiptarët ka kohë që në kurrizin e tyre po e ndjejnë kategorizmin e famshëm statistikor të 20%, që me aq zell është patentuar në formulimet kushtetuese e ligjore të politikanëve të Shkupit. Pra, për ta kuptuar se sa dhemb kungji i Athinës, maqedonasit do të ishte mirë ta shohin se sa me sherr e kishin mprehur kungjin e tyre në kuzhinat politike të Shkupit, ku brenda natës gjuha shqipe nga kategoria socio-lingustike transfromohej në kategori statistikore. Në këtë mënyrë do të ndodhtë një proces i çuditshëm politiko-antropomorf, teksa shqiptarët futeshin në një magazinë të braktisur tekstilesh ku shpejt e shpejt në vend të emrave iu qepeshin numrat që tregonin se janë një grumbull frymorësh në këtë shtet qesharak që assesi spo mundet të gjejë një emër që i kënaq të gjitha palët.
Shqiptarët e kanë dëgjuar që moti përrallën për gropën që kishte gllabëruar të parin të zotin e saj që e kishte bërë, por nuk duan të besojnë që mendësia refuzuese ndaj tyre mund të ketë ndonjë pikëtakim paradokosal me thirrjet anarkiste në Greqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*