Home / MAQEDONI / Rasti “Trajektorja”, refuzohet propozimi i mbrojtjes për audio incizimet

Rasti “Trajektorja”, refuzohet propozimi i mbrojtjes për audio incizimet

Në Gjykatën Penale vazhdon gjykimi për lëndën “Trajektorja” në të cilën të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski dhe ish-drejtori i Agjencisë për Rrugë Shtetërore, Lupço Georgievski.

Të akuzuarit marrin pjesë në seancën e sotme që e zhvillon gjykatësi Goran Boshevski.

Në fillim, gjykatësi Boshevski i refuzoi propozimet e mbrojtjes nga seanca paraprake që t’ju dorëzohen dëshmitë në CD ose në formë të shkruar, si dhe audio incizimet të refuzohen si dëshmi materiale në procedurë.

Në lidhje me audio incizimet, Boshevski tha se pavarësisht se ato janë krijuar në mënyrë të paligjshme, megjithatë nga PSP-ja janë dorëzuar në mënyrë të ligjshme dhe mund të shfrytëzohen në procedurë.

Boshevski theksoi se transkriptet nga incizimet nuk janë dëshmi, por mjet ndihmës dhe apeloi, por nuk e obligoi PSP-në, nëse mund t’ia dorëzojë mbrojtjes në CD, sepse edhe gjykata nuk ka asgjë kundër që të bëhet një gjë e tillë.

Si pjesë e materialit dëshmues në këtë rast janë 315 audio-incizime.

Mbrojtja kërkoi të marrë edhe procesverbal nga seancat gjyqësore nga 31 janari dhe akuzoi se ende nuk i është dorëzuar, edhe pse e kanë kërkuar me qëllim që të përgatiten në mënyrë adekuate për seancën e sotme. Theksuan se afati për dorëzimin e procesverbalit të përgjithshëm është 24 orë.

Gjykimi për “Trajektoren” filloi nga fillimi i 31 janarit për shkak të ndryshimit të këshillit gjyqësor.

Avokatët i kontestuan edhe ekspertizat për dëmin e bërë me ndërtimin e autostradave në vlerë prej 155 milionë eurosh.

Për “Trajektoren”, Gruevski, Janekievski, Peshevski dhe Georgievski akuzohen se në gjysmën e e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë shumë veprime me të cilat në procedurën për përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradës Milladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër i kanë shfrytëzuar dhe i kanë tejkaluar autorizimet. Me këtë, sipas aktakuzës së PSP-së, e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit prej të paktën 155 milionë euro dhe për të njëjtën vlerë, kompanisë realizuese i kanë mundësuar të përfitojë dobi pronësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*